Shtypi turk ka ndezur spekulimet për një transferim të bujshëm të Lionel Messit te Galatasaray. Lajmi u bë publik pas fitores 4-0 ndaj Kayserispor, kur komentatori i njohur Levent Tüzemen, në transmetim të drejtpërdrejtë, deklaroi se Messi i ka dhënë “dritën jeshile” klubit nga Stambolli për një projekt special.
Sipas Tüzemen, bëhet fjalë për një angazhim 4-mujor me 12 ndeshje, me kushtin që Messi të luajë vetëm në Stamboll dhe të mos udhëtojë për ndeshje jashtë qytetit. Ai shtoi se drejtues të Galatasaray e kanë konfirmuar këtë informacion, ndërsa Messi po e konsideron seriozisht këtë opsion si pjesë e përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.
Po sipas këtyre raportimeve, Messi ka refuzuar ofertën e Al Hilal, ndërsa në rast realizimi të transferimit, pritet një pritje masive në aeroport, me deri në 1 milion tifozë.
Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nga Galatasaray apo vetë Messi, dhe gjithçka mbetet në kuadër të raportimeve dhe deklaratave të mediave turke.

