Një moment i veçantë për futbollin shqiptar është regjistruar këtë fundjavë në Serie A, ku Joi Nuredini, sulmuesi 18-vjeçar i Kombëtares shqiptare U19, ka bërë debutimin e tij në elitën e futbollit italian me fanellën e Genoa-s.

Talenti kuqezi u aktivizua në minutën e 89-të të ndeshjes ndaj Parmës, e përfunduar në barazim 0-0, duke hedhur kështu hapin e parë drejt afirmimit në një nga kampionatet më konkurruese të Evropës.
Nuredini konsiderohet një nga talentet më premtues të akademisë së Genoa-s dhe një prej emrave më të spikatur të skuadrës Primavera, ku paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e stafit teknik të ekipit të parë.
Ky debutim përfaqëson një moment kyç në karrierën e tij dhe një sinjal të qartë të besimit që klubi italian ka ndaj sulmuesit shqiptar, i cili po rritet me hapa të shpejtë brenda strukturave të Genoa-s.
Tashmë, pritshmëritë janë të larta si nga klubi ashtu edhe nga tifozët, të cilët shohin te Joi Nuredini një investim të rëndësishëm për të ardhmen e ekipit dhe një emër premtues për futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

