Performancat mbresëlënëse të Mirlind Dakut me fanellën e Rubin Kazan kanë rikthyer sulmuesin shqiptar në qendër të vëmendjes së merkatos evropiane. 28-vjeçari po ndiqet me interes nga disa klube gjermane, duke hapur skenarë konkretë për një transferim të mundshëm në Bundesligë.
Sipas raportimeve të publikuara nga “Championat”, përfaqësuesit e Dakut kanë prezantuar profilin e tij te disa skuadra të Bundesligës dhe Bundesligës 2, me Augsburgun, Mainzin dhe Hamburgun që kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e sulmuesit shqiptar.
Megjithatë, një lëvizje gjatë merkatos së dimrit nuk shihet si opsion real. Agjencia që menaxhon Dakun ka bërë të qartë për gazetaren Maria Kutsubeeva se, pavarësisht interesimit të madh, vera konsiderohet momenti ideal për një transferim të tillë.
“Ka shumë interes për Dakun nga Gjermania, por ne mendojmë se merkatoja e janarit nuk është periudha e duhur për një lëvizje,” ka deklaruar agjencia e lojtarit.
Mirlind Daku është pjesë e Rubin Kazan që nga korriku i vitit 2023 dhe ka kontratë të vlefshme deri në qershor 2029. Me Kombëtaren shqiptare, sulmuesi numëron 15 paraqitje, duke qenë një opsion i rëndësishëm në repartin ofensiv.
Në edicionin aktual të Superligës Ruse, Daku ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë 5 asistime në 9 ndeshje, duke u konfirmuar si një nga lojtarët kyç të skuadrës së tij. Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e kartonit të tij vlerësohet rreth 10 milionë euro, çka e bën një profil tepër tërheqës për klubet gjermane në prag të merkatos së verës.

