Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka lënë gjithçka të hapur sa i përket të ardhmes së tij pas Kupës së Botës 2026, duke mos përjashtuar mundësinë që një ditë të marrë drejtimin e Italisë.
Tekniku francez, gjatë prezantimit të listës së lojtarëve për Botërorin 2026, u pyet për mundësinë e drejtimit të një përfaqësueseje tjetër si Italia dhe përgjigjja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në Francë.
“Drejtimi i një përfaqësueseje tjetër si Italia? Nuk përjashtoj asgjë. Për momentin nuk është në rendin e ditës për mua. Por jam i disponueshëm, e dini të gjithë. Do të mendoj për këtë çështje në vijim”, deklaroi Deshamps.
Fjalët e tij nuk janë pritur mirë në Francë. Gazetari i njohur i “RMC Sport”, Daniel Riolo, e cilësoi si “tragjedi personale” mundësinë që Deshamps të marrë drejtimin e Italisë.
“Nga pikëpamja njerëzore do ta përjetoja si tragjedi personale. E di që është e mundur, pasi ai ka një të kaluar te Juventusi dhe është një emër shumë i njohur atje”, deklaroi Riolo.
Deshamps pritet të largohet nga pankina e Francës pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa emri i tij vazhdon të lidhet me kombëtare dhe klube të mëdha evropiane.

