Sonte zhvillohen gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në basketboll, të cilat pritet të ofrojnë spektakël dhe rivalitet të lartë mes katër skuadrave më të mira të këtij edicioni.
Pas përballjeve tejet interesante në fazën çerekfinale, Bashkimi, Sigal Prishtina, Trepça dhe Bora synojnë finalen e madhe dhe trofeun e çmuar të basketbollit kosovar.
Gjysmëfinalja e parë do të përballë Bashkimin me Sigal Prishtinën, dy skuadra me traditë dhe histori të pasur në basketbollin e Kosovës. Prizrenasit siguruan kualifikimin pasi eliminuan GO+ Pejën, ndërsa prishtinasit kaluan Vëllaznimin në çerekfinale.
Në gjysmëfinalen tjetër, Trepça do të përballet me Borën, në një duel që pritet të jetë po aq interesant. Kampionët në fuqi të Kupës synojnë mbrojtjen e trofeut, ndërsa Bora kërkon të arrijë për herë të parë finalen e Kupës. Në çerekfinale, Trepça eliminoi Golden Eagle Yllin, ndërsa Bora mposhti Rahovecin 029.
Sikurse edhe në çerekfinale, gjysmëfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje, ndërsa skuadrat që do të kenë rezultatin më të mirë pas dy ndeshjeve do të sigurojnë kualifikimin në finale.
Në edicionin e kaluar, Trepça fitoi Kupën e Kosovës, duke mposhtur Bashkimin në finale me rezultat 85:79.
Orari i ndeshjeve – Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës:
E mërkurë:
18:45 – Bashkimi vs Sigal Prishtina
18:45 – Trepça vs Bora

