Elite Youth Development Academy organizoi një aktivitet të veçantë edukativ dhe motivues, duke mirëpritur dy ish-lojtarët e Kombëtares shqiptare, Taulant Xhakën dhe Jurgen Gjasulën, në një vizitë të dedikuar për frymëzimin dhe zhvillimin e brezit të ri të futbollistëve.
Gjatë aktivitetit, Xhaka dhe Gjasula zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me lojtarët e akademisë, ku ndanë përvoja nga karrierat e tyre profesionale. Ata u ndalën te momentet më të rëndësishme të rrugëtimit sportiv, sfidat e përballuara dhe rëndësia e përkushtimit të vazhdueshëm në çdo fazë të zhvillimit si futbollist.
Ish-futbollistët e Kombëtares theksuan rolin e mentalitetit të duhur, disiplinës dhe punës së përditshme, duke inkurajuar të rinjtë që të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë stërvitore dhe edukative që ofron akademia.
Vizita nuk u kufizua vetëm në diskutime teorike. Xhaka dhe Gjasula kaluan disa orë së bashku me lojtarët e rinj, duke marrë pjesë në aktivitete sportive dhe lojëra të ndryshme, si dhe duke u bërë pjesë e rutinës së përditshme të akademisë. Ky bashkëveprim krijoi një eksperiencë të veçantë për futbollistët e rinj, të cilët patën mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt nga përvoja e ish-përfaqësuesve kuqezi.
Kjo iniciativë përforcon misionin e Elite Youth Development Academy dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për të investuar jo vetëm në zhvillimin sportiv, por edhe në formimin njerëzor dhe profesional të talenteve të reja, duke i afruar ata me figura që kanë përfaqësuar me sukses futbollin shqiptar në nivele të larta.

