Skuadra nga Rrogozhina vazhdon të shkruajë histori në futbollin shqiptar. Egnatia është shpallur kampione e Superiores për sezonin 2025/26, pasi mposhti Dinamo Tiranën me rezultat 2-0 në finalen e “Final Four”, të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Heroi i mbrëmjes ishte mesfushori italian Alessandro Albanese, i cili realizoi të dy golat e finales. Fillimisht shënoi nga penalltia në minutën e 29-të, ndërsa dhjetë minuta më vonë vulosi triumfin me golin e dytë.
Egnatia dominoi takimin me organizim, qetësi dhe disiplinë taktike, duke mos i lënë hapësira Dinamos për reagim. Me këtë sukses, skuadra rrogozhinase fiton titullin kampion për të tretin sezon radhazi dhe konfirmon dominimin absolut në futbollin shqiptar.
Në duelin tjetër të “Final Four”, Elbasani mposhti Vllazninë me rezultat 2-1 dhe e mbylli sezonin në vendin e dytë. Shkodranët kaluan të parët në epërsi me Bekim Balajn, por Elbasani reagoi shpejt me golat e Lajthisë dhe Ibrahimit për të siguruar përmbysjen dhe fitoren.

