Batatina dhe Llapi do të luajnë sërish në barazh për mbijetesë në Superligën e Kosovës. Skuadra llapjane e mbylli sezonin në pozitën e tetë me 49 pikë të grumbulluara pas 36 ndeshjeve, duke u detyruar edhe një herë të kërkojë shpëtimin përmes finales së barazhit.
Kjo është hera e dytë radhazi që Llapi përfundon kampionatin në të njëjtën pozitë. Sezonin e kaluar, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina kishte mbyllur edicionin me 47 pikë dhe kishte siguruar mbijetesën vetëm pas triumfit ndaj Vushtrrisë në ekzekutimin e penalltive.
Edhe këtë edicion, llapjanët do të përballen me një tjetër sfidë vendimtare. Më 7 qershor, Llapi do të luajë finalen e barazhit ndaj Dinamos së Ferizajt, në një duel që do të përcaktojë skuadrën që do të garojë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit kosovar.

