Goditje e rëndë për skuadrën – kapiteni mungon në momentet kyçe të sezonit Skuadra jonë do të përballet me një mungesë të madhe në javët vendimtare të sezonit. Kapiteni Rron Broja, një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe shtylla e ekipit, do të mungojë në dy përballjet e shumëpritura ndaj Celjes.
Lëndimi që e ka shoqëruar gjatë gjithë sezonit vazhdon t’i shkaktojë probleme serioze, duke e penguar madje të kryejë edhe fazën përgatitore në Antalia, Turqi. Mungesa e tij është ndier dukshëm edhe në dy ndeshjet e fundit ndaj Prishtinës dhe Ferizajt.
Sipas konfirmimeve të fundit, Broja do të mungojë në sfidën ndaj Drenicës, në dy ndeshjet ndaj Celjes, si dhe në përballjen kundër Llapit.
Kjo paraqet një goditje të madhe për ekipin në një nga periudhat më vendimtare të sezonit, ku çdo ndeshje ka peshë të jashtëzakonshme. Klubi dhe tifozët shpresojnë në rikuperimin sa më të shpejtë të kapitenit.

