Ferizaj dhe Prishtina e Re zyrtarisht kanë rënë nga Superliga e Kosovës dy xhiro para përfundimit të kampionatit.
Ferizaj nuk arriti ta sigurojë mbijetesën pas barazimit dramatik 3:3 ndaj Prishtinës në Hajvali. Ekipi ferizajas pranoi golin e barazimit në minutat shtesë të ndeshjes, duke humbur edhe matematikisht shpresat për qëndrim në elitë.
Në anën tjetër, Prishtina e Re u mposht nga Ballkani me rezultat 3:2 në Suharekë, humbje që vulosi rënien e skuadrës në kategorinë e dytë.
Pas javës së 34-t të Superligës, Ferizaj mbetet në vendin e parafundit me 36 pikë, ndërsa Prishtina e Re në pozitën e fundit me 31 pikë. Të dy skuadrat nuk kanë më mundësi të dalin nga zona e rënies.
Ferizaj ende ka një mundësi për ta shpëtuar sezonin përmes Kupës së Kosovës, pasi më 21 maj do të luajë finalen kundër Dukagjinit.

