Futboll Kombëtarja Ndërkombëtare Sport Vendi

FFK-ja mban nesër kuvendin zgjedhor, Agim Ademi kandidati i vetëm për një mandat të ri

Federata e Futbollit e Kosovës do të mbajë të enjten kuvendin e saj zgjedhor, në të cilin pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të federatës. Procesi zhvillohet mes polemikash dhe reagimesh të shumta institucionale.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, është kandidati i vetëm në garë për t’u rizgjedhur në krye të federatës për një mandat të ri katërvjeçar. Kjo pasi ai ka arritur të sigurojë shumicën e nënshkrimeve të nevojshme, duke mos lënë hapësirë që një kandidat tjetër të hyjë në garë.

Ademi është në krye të FFK-së që nga viti 2018 dhe kjo pritet të jetë rizgjedhja e tij e dytë. Megjithatë, pavarësisht mungesës së një kundërkandidati, procesi zgjedhor është shoqëruar me kundërshtime nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

MKRS-ja, përmes ministrit në detyrë Hajrulla Çeku, reagoi menjëherë pas vendimit të FFK-së për ta caktuar 5 shkurtin si datë të kuvendit zgjedhor, duke vënë në pikëpyetje përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i licencimit i vitit 2023. Sipas ministrisë, FFK-ja nuk kishte përmbushur plotësisht detyrimet e dakorduara me UEFA-n, FIFA-n dhe vetë MKRS-në, përfshirë harmonizimin e Statutit me Ligjin për Sport dhe rregulloret përkatëse.

Ministria ngriti shqetësime edhe lidhur me përbërjen dhe legjitimitetin e kuvendit, duke rikujtuar se të drejtë vote kanë vetëm anëtarët e licencuar. Ende nuk dihet zyrtarisht se sa anëtarë janë të licencuar dhe me të drejtë vote në këtë kuvend.

Duke parë se FFK-ja nuk u tërhoq nga vendimi për mbajtjen e kuvendit, ministri Çeku i është drejtuar me letër UEFA-s dhe FIFA-s, duke i informuar për, sipas tij, parregullsitë në procesin zgjedhor dhe për mbajtjen e kuvendit pa legjitimitet të plotë. Një nga pikat më të kontestuara, sipas MKRS-së, është mekanizmi statutor i kandidimit për kryetar, i cili kërkon 15 nënshkrime mbështetëse nga anëtarët e federatës. Në një federatë me 40 anëtarë gjithsej, por vetëm 26 të licencuar, ky rregull – sipas ministrisë – e kufizon garën reale dhe favorizon një kandidaturë të vetme.

Në përgjigje, përmes një letre të përbashkët, UEFA dhe FIFA kanë konfirmuar se Statuti i FFK-së është harmonizuar në përputhje të plotë me kërkesat e tyre dhe me Ligjin për Sport. Në këtë letër kërkohet pavarësi e plotë e federatës dhe mosndërhyrje institucionale në punën e saj, si dhe kritikohet reagimi i vonshëm i ministrisë për ndryshime statutore, vetëm disa javë para kuvendit zgjedhor.

Po ashtu, është bërë e ditur se përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s do të jenë të pranishëm në kuvendin e 5 shkurtit, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me Statutin e FFK-së dhe me rregulloret përkatëse ndërkombëtare.

Sikurse edhe në të kaluarën, ky kuvend pritet të mbahet pa praninë e mediave. Deri më tani, FFK-ja nuk ka bërë publik vendin dhe orën zyrtare të mbajtjes së kuvendit, megjithatë RTV21, përmes burimeve, mëson se kuvendi do të nisë në ora 11:00 dhe do të mbahet në hotelin “Emerald”.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së