Finalja e Kupës së Shqipërisë për sezonin aktual do të sjellë sërish përballjen mes Egnatias dhe Dinamos, duke përsëritur skenarin e edicionit të kaluar. Dy skuadrat do të zbresin në fushën e stadiumit “Air Albania” më 13 maj 2026, me fillim nga ora 19:00.
Në finalen e vitit të kaluar ishte Dinamo që arriti të triumfonte, ndërsa këtë herë pritet një përballje edhe më e fortë, duke parë formën që kanë treguar të dy ekipet gjatë këtij sezoni.
Egnatia siguroi biletën për në finale pas një gjysmëfinaleje dramatike ndaj Elbasanit, ku u deshën penalltitë për të përcaktuar fituesin. Në anën tjetër, Dinamo kaloi Vllazninë me rezultat minimal 0-1 në stadiumin “Loro Boriçi”, duke konfirmuar ambiciet për të mbrojtur trofeun.
Finalja pritet të jetë një spektakël i vërtetë futbolli në Tiranë, ku të dy skuadrat do të synojnë të shkruajnë historinë dhe të ngrejnë trofeun e Kupës së Shqipërisë.

