Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, dorëzoi flamurin e shtetit për dy skiatorët tanë, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, që zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt.
Me besim, përkushtim dhe krenari, Presidentja Osmani uroi sportistët para këtij eventi të madh ndërkombëtar. Për Kiana Kryeziun, kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore, ndërsa për Drin Kokajn ky moment shënon herën e parë që do të përjetojë nderin e garimit në arenën olimpike.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Presidentja Osmani theksoi se ky përfaqësim është dëshmi e punës dhe përkushtimit të sportistëve kosovarë dhe një burim i vërtetë krenarie kombëtare. Përfaqësimi i Kosovës në Lojërat Dimërore përbën një arritje të veçantë, duke pasur parasysh se kushtet për skijim në Kosovë nuk janë shumë të favorshme në krahasim me shtetet pjesëmarrëse, ndërsa vetë kualifikimi në një ngjarje kaq të rëndësishme sportive është një sukses i madh.
Të dy atletët nisen me synimin për të dhënë më të mirën dhe për të përfaqësuar denjësisht Kosovën në këtë garë të madhe sportive.

