Ardian Nuhiu nuk është më trajner i Tiranës. Klubi bardheblu ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me teknikun shqiptar, pas rezultateve zhgënjyese që e kanë zhytur skuadrën në një situatë të vështirë në kampionat.
Forma e dobët në javët e fundit ka bërë që Tirana të afrohet rrezikshëm me zonën e rënies nga “Abissnet Superiore”, një skenar i papritur për një nga klubet më të mëdha në Shqipëri.
Lajmi për ndërprerjen e bashkëpunimit u bë publik nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar në faqen e tyre në “Facebook”, duke konfirmuar kështu fundin e aventurës së Nuhiut në kryeqytet.
Tirana, njoftoi këtë në faqen e tyre në “Facebook”. “KF Tirana shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Ardian Nuhiu për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë drejtimit të skuadrës sonë.Gjatë bashkëpunimit, ai ka dhënë maksimumin për ngjyrat bardheblu, duke punuar me pasion, korrektësi dhe respekt për klubin dhe tifozët tanë.I urojmë suksese në karrierën e tij profesionale”, shkruhej në njoftimin e Tiranës.
Tashmë pritet të shihet se kush do ta marrë drejtimin e skuadrës në një moment delikat të sezonit, me objektivin kryesor që mbetet largimi nga zona e rrezikut dhe stabilizimi i rezultateve.

