Mbrojtësi i Kosovës, Kreshnik Hajrizi, ka reaguar me një mesazh të fortë emocional pas humbjes minimale 0:1 ndaj Turqisë në finalen e “play-off”-it për Kupa e Botës FIFA 2026.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajrizi vuri në pah përkushtimin maksimal të skuadrës dhe emocionet e mëdha që shoqëruan këtë përballje historike, duke theksuar lidhjen e fortë me tifozët dhe fanellën kombëtare.
“Kosova ime, atë natë nuk ishte thjesht futboll… ishte një ndjenjë që të pushton krejt. Na dhe krenari, na dhe forcë, na dhe arsye për të luftuar deri në fund. Në fushë lamë gjithçka për ju, për flamurin, për çdo shqiptar kudo që është. Kjo është vetëm fillimi… sepse për Kosovën, ne japim gjithmonë më shumë”, ka shkruar ai.

Hajrizi ishte ndër më të dalluarit në këtë përballje, duke zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në mbrojtje, pavarësisht rezultatit që la Kosovën vetëm një hap larg kualifikimit historik.

