Interi ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në garën për titull, duke triumfuar minimalisht 1–0 ndaj Lecce në stadiumin “Giuseppe Meazza”, në kuadër të Serie A. Zikaltërit siguruan tri pikë jetike që i çojnë të vetëm në krye të renditjes me 46 pikë, duke u shkëputur nga rivalët direktë.
Goli i fitores erdhi në minutën e 78-të, pas një aksioni këmbëngulës brenda zonës. Lautaro Martínez provoi fillimisht me një goditje të rrezikshme, por portieri Wladimiro Falcone grushtoi topin, i cili përfundoi te Sebastiano Esposito. Sulmuesi nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke shpërthyer festën në “Meazza”.
Interi dominoi takimin dhe krijoi disa raste të pastra shënimi që në pjesën e parë, me Nicolò Barella dhe Ange-Yoan Bonny, por u ndal nga paraqitja e shkëlqyer e Falcone. Një penallti e akorduar fillimisht për zikaltërit u anulua pas rishikimit në VAR, duke shkaktuar protesta nga vendasit.
Nga ana tjetër, Lecce tentoi të reagojë dhe pati disa momente rreziku me Antonino Gallo, por portieri Yann Sommer ishte vendimtar, duke ruajtur portën e paprekur dhe duke siguruar fitoren për Interin.
Me këtë sukses, Interi ngjitet në kuotën e 46 pikëve, duke u shkëputur 6 pikë përpara Milanit të vendit të dytë. Ndërkohë, Lecce mbetet në vështirësi, duke zbritur në vendin e 17-të me 17 pikë, pranë zonës së rënies nga kategoria.

