Vedat Muriqi ka dhënë një dëshmi të fortë dhe emocionuese për rrugëtimin e tij në jetë dhe në futboll, duke treguar se lidershipi i tij nuk ka nisur në fushë, por shumë më herët, në familje.
“Gjithë jetën time, pas vdekjes së babait, kam qenë lider i familjes sime. Isha vetëm shtatë vjeç kur ai u nda nga jeta dhe fillova të punoja që në moshën tetëvjeçare. Gjithmonë kam qenë lider”, u shpreh sulmuesi i Kombëtares.

Muriqi theksoi se në fushë nuk ka nevojë për shiritin e kapitenit për të udhëhequr skuadrën. “Në ekip kemi kapitenë si Rai dhe Martin, unë nuk kam nevojë për shiritin. Përpiqem të ndihmoj, të flas, të bërtas në fushë. Qëllimi i vetëm është fitorja dhe shokët e skuadrës më respektojnë”, shtoi ai.

Deklarata e Muriqit nxjerr në pah karakterin e fortë dhe mentalitetin fitues të sulmuesit shqiptar, i cili vazhdon të jetë një figurë kyçe si për klubin e tij, ashtu edhe për Kombëtaren, duke udhëhequr me shembull dhe sakrificë.

