Interi është shpallur kampion i Italisë në futboll, duke siguruar titullin e 21-të në historinë e klubit. Skuadra nga Milano e vulosi matematikisht triumfin pas fitores 2:0 ndaj Parmës në shtëpi, në kuadër të javës së 35-të të Serie A.
Golat për zikaltërit u realizuan nga Marcus Thuram në kohën shtesë të pjesës së parë dhe Henrikh Mkhitaryan në minutën e 80-të, duke i dhënë fund çdo dileme për fituesin e këtij edicioni.
Tri xhiro para përfundimit të kampionatit, Interi kryeson tabelën me 82 pikë, plot 12 më shumë se ndjekësi më i afërt, Napoli, diferencë që e bën të pamundur arritjen nga rivalët.
Gara për titull në një fazë ishte e fortë, por Interi arriti të shkëputet gradualisht, duke përfituar edhe nga hapat fals të rivalëve kryesorë si Napoli dhe Milani.
Ky është titulli i dytë për Interin në dy vitet e fundit, ndërsa në renditjen historike të kampionateve italiane, zikaltërit mbajnë vendin e dytë me 21 tituj, pas Juventusit që ka 36, ndërsa Milani ka 19.
Interi jo vetëm që siguroi titullin, por e bëri këtë me stil, duke konfirmuar dominimin në Serie A këtë sezon.

