FC Thun ka shkruar një nga historitë më të pabesueshme në futbollin evropian, duke u shpallur kampion i Zvicrës vetëm një sezon pas rikthimit në elitë.
Skuadra nga Oberlandi i Bernës siguroi matematikisht titullin në Swiss Super League pas fitores 3:0 ndaj Sion, rezultat që e bëri të pakapshme për rivalët në javët e mbetura.
Thun ishte surpriza absolute e sezonit, duke dominuar kampionatin që nga muaji tetor dhe duke lënë pas klube me histori si Basel dhe Young Boys, pavarësisht një buxheti dukshëm më të vogël.
Ky sukses konsiderohet ndër më të rrallët në futbollin modern, i krahasueshëm me triumfe historike si ai i Nottingham Forest në vitin 1978 apo Kaiserslautern në Bundesligë.
Rrugëtimi i klubit ka qenë i gjatë dhe modest. Thun u ngjit për herë të parë në elitë në vitin 1954, por nuk arriti të qëndrojë gjatë, duke kaluar dekada në kategori më të ulëta. Rikthimi në vitin 2001 shënoi një stabilizim, ndërsa deri më tani arritja më e mirë kishte qenë vendi i dytë në vitin 2005.
Një vit më pas, skuadra arriti të kualifikohej në grupet e Ligës së Kampionëve, ku fitoi ndaj Sparta Prague dhe vendosi në vështirësi Arsenalin.
Trajneri aktual, Mauro Lustrinelli, tashmë konsiderohet arkitekti i këtij suksesi historik, duke e udhëhequr ekipin drejt titullit të parë dhe rikthimit në Ligën e Kampionëve pas dy dekadash.

