Kai Rooney po ndjek hapat e babait të tij, Wayne Rooney, pasi ka marrë një ofertë të re kontrate nga Manchester United.
Sulmuesi 16-vjeçar, i cili përfundon shkollimin këtë verë, ka qenë pjesë e akademisë së “Djajve të Kuq” prej disa vitesh. Djali i madh i familjes Rooney tashmë ka marrë një ofertë zyrtare për bursë njëvjeçare nga drejtuesit e klubit në “Old Trafford”.
Sipas marrëveshjes së propozuar, kontrata më pas do të kalonte në një kontratë profesionale trevjeçare, ku ai pritet të përfitojë rreth 50 mijë paund në vit, së bashku me një bonus nënshkrimi çdo vit. Një ofertë e tillë për një lojtar që vjen për një lojtar nga akademia konsiderohet ndër më të mëdhatë e propozuara nga klubi për një talent të ri, çka tregon besimin e madh që Manchester United ka te zhvillimi i tij.

Kai po shihet si një futbollist me potencial të lartë, i cili në një të ardhme jo të largët mund t’i bashkohet edhe ekipit të parë, duke vazhduar kështu trashëgiminë e familjes Rooney në “Old Trafford”.
Megjithatë, në këtë fazë, raportohet se familja Rooney ende nuk e ka pranuar ofertën.

