Meriton Korenica pritet të largohet nga CFR Cluj gjatë këtij afati kalimtar dimëror, teksa përfaqësuesit e tij kanë nisur negociatat me klubin e Superligës Turke, Konyaspor.
Futbollisti kosovar, me prejardhje nga Rahoveci, deri së fundmi ka qenë në bisedime me DC United, por transferimi drejt MLS-së ka dështuar, pasi klubi amerikan nuk ishte i gatshëm të paguante shumën prej 4.5 milionë dollarësh, të kërkuar nga klubi rumun për kartonin e tij.
Tashmë, Konyaspor ka hyrë seriozisht në garë për shërbimet e Korenicës. Sipas raportimeve të Ajansspor, 29-vjeçari i është ofruar klubit turk, i cili është në kërkim të një anësori të ri për të përforcuar repartin ofensiv.
Në Konyaspor vlerësohet lart shkathtësia e Korenicës, pasi ai është i aftë të luajë në disa pozita, një element që i jep fleksibilitet trajnerit, veçanërisht në raste mungesash apo rotacionesh.
Korenica e njeh mirë futbollin turk, pasi ka qenë për gjashtë muaj pjesë e Manisas, ku ka shënuar 1 gol në 11 paraqitje.
Në këtë edicion, ylli kosovar ka qenë ndër lojtarët më të dalluar te CFR Cluj, duke regjistruar 7 gola dhe 6 asistime në 31 paraqitje, çka e bën atë një objektiv të rëndësishëm për klubin turk në luftën për mbijetesë.

