Sulmuesi i Kosova, Vedat Muriqi, është paraqitur në konferencë për media në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Turqia, duke shprehur besim të plotë në skuadrën dardane.
Kapiteni i Kosovës theksoi se, pavarësisht moshës së re të ekipit, lojtarët kanë përvojë të mjaftueshme për përballje të tilla me peshë të madhe.
“Besoj që edhe pse jemi lojtarë të rinj, kemi luajtur ndeshje të mëdha dhe kemi eksperiencë për këto ndeshje. Kemi atmosferë të shkëlqyer në kamp dhe shpresoj që nesër të kemi sukses,” u shpreh Muriqi.
Ai vuri në pah edhe rëndësinë e rezultatit mbi performancën individuale, duke shtuar: “Nuk më intereson të shënoj gola derisa ekipi fiton.” Sulmuesi prizrenas e cilësoi këtë sfidë si një moment historik për vendin, duke e krahasuar me një nga periudhat më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë.
“Pas pavarësisë është momenti më i mirë i shtetit tonë. Nesër besoj fuqishëm në fitoren tonë,” theksoi ai.

