Një tjetër basketbollist kosovar po zhvillohet me hapa të sigurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Dielli Krasniqin, i lindur më 20 nëntor 2010, një talent premtues që po ndërton karrierën e tij në Denver, Colorado.
Dielli me gjatësi 193 cm aktualisht është nxënës i vitit të parë (freshman) në Mountain Vista High School, ku përfaqëson shkollën në basketboll, ndërsa paralelisht luan edhe për klubin Elevation Flyers Basketball.

Ai është një lojtar shumëdimensional që mund të luajë në disa pozita, varësisht nevojave të ekipit. Ai shquhet si një basketbollist atletik me aftësi shumë të mira gjuajtjeje nga çdo distancë, si dhe te loja një-kundër-një.
Një nga veçoritë që e dallon është fakti se, ndonëse vetëm 15 vjeç, ai sfidon veten duke luajtur në kategori më të mëdha moshe, përkatësisht 16U dhe 17U, si me klubin ashtu edhe me shkollën. Kjo tregon ambicien dhe mentalitetin e tij konkurrues për t’u përballur me nivel më të lartë loje dhe për të përshpejtuar zhvillimin e tij.

Gjatë verës së vitit 2025, 16 vjeçari qëndroi në Kosovë, ku u stërvit me një ekip nga Prishtina, duke mbajtur lidhje të forta me vendlindjen dhe basketbollin kosovar. Një nga synimet e tij kryesore është që në të ardhmen të veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës. Ai shpreson që shumë shpejt t’i jepet mundësia për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Me ritmin e zhvillimit që po tregon dhe me përkushtimin ndaj punës, Dielli Krasniqi konsiderohet një emër premtues për të ardhmen – një talent kosovar që po rritet në Amerikë, por me zemër dhe synime të qarta për Kosovën.

