Një moment historik është regjistruar në futbollin profesional, pasi për herë të parë është pranuar një gol sipas rregullit të ri eksperimental të ofsajdit, që aktualisht po testohet në Kanada. Sulmuesi i Pacific FC, Alejandro Diaz, realizoi në barazimin 2:2 ndaj Halifax, në një situatë që sipas rregullave aktuale do të ishte anuluar.
Ky gol vjen si pjesë e një projekti pilot të zhvilluar nga liga kanadeze në bashkëpunim me FIFA-n, me synimin për të reduktuar vendimet e diskutueshme dhe për të favorizuar lojën sulmuese. Rregulli i ri ndryshon interpretimin klasik të ofsajdit, duke i dhënë më shumë hapësirë sulmuesit.
Sipas këtij sistemi, një lojtar nuk konsiderohet në pozitë jashtë loje nëse ka ende një pjesë të trupit në vijë me mbrojtësin e fundit. Kjo do të thotë se avantazhi minimal nuk penalizohet më, duke shmangur situatat milimetrike që shpesh kanë shkaktuar polemika.
Ky koncept është mbështetur prej kohësh nga ish-trajneri legjendar Arsène Wenger, tani në një rol drejtues në zhvillimin global të futbollit në FIFA. Ai e sheh këtë ndryshim si një hap drejt një loje më të drejtë dhe më spektakolare.
Pas përfundimit të fazës së testimit, FIFA pritet të marrë një vendim përfundimtar nëse ky rregull do të implementohet zyrtarisht në futbollin botëror.

