Hoffenheim po përjeton një nga sezonet më të jashtëzakonshme në historinë e tij moderne. Pas fitores së madhe ndaj Bayer Leverkusenit, skuadra gjermane është ngjitur në vendin e tretë të Bundesligës, duke u futur seriozisht në garën për një vend në Ligën e Kampionëve – një objektiv që deri pak muaj më parë dukej i paimagjinueshëm.
Me 33 pikë pas 17 javësh, Hoffenheim ka tashmë një pikë më shumë sesa kishte në të njëjtën fazë sezonin e kaluar, kur luftonte për mbijetesë dhe siguroi qëndrimin vetëm në javët e fundit. Transformimi është i qartë, ndërsa pas tij qëndron një bosht i ri loje, i udhëhequr nga tre futbollistë kosovarë që po shkëlqejnë në elitën e futbollit gjerman.

Albian Hajdari (21), Leon Abdullahu (22) dhe Fisnik Asllani (23) janë shndërruar në motorët e skuadrës. Që nga rikthimi i formës së lartë të ekipit, treshja ka pasur rol vendimtar në ekuilibrin dhe fuqinë e Hoffenheimit.
Hajdari, i transferuar nga Lugano, ka regjistruar 14 paraqitje dhe ka shënuar edhe një gol, duke u kthyer në një element të rëndësishëm të prapavijës. Abdullahu, i ardhur nga Baseli, ka qenë konstant në mesfushë me 17 ndeshje dhe një asist, duke u vlerësuar si një nga mesfushorët më të mirë mbrojtës në Bundesliga këtë sezon.
Ndërkohë, protagonisti absolut është Fisnik Asllani, i cili pas rikthimit nga huazimi te Elversberg, ka “çmendur” Bundesligën me 7 gola dhe 4 asistime, duke u shndërruar në një nga zbulimet më të mëdha të kampionatit.
Sezoni i kaluar ishte dramatik për Hoffenheimin, i cili vetëm në fund arriti të shmangë rënien nga Bundesliga. Sot, falë afrimeve strategjike dhe kthimit të lojtarëve të talentuar nga huazimet, skuadra ka ndërtuar një identitet të ri dhe po shfaq një konsistencë të lartë në lojë dhe rezultate.
Ky sukses nuk mbetet vetëm në nivel klubesh.Forma e shkëlqyer e tre kosovarëve ka hapur një dimension historik edhe për futbollin e Kosovës.

Kosova është shumë pranë një momenti historik, me mundësinë për t’u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror 2026 përmes fazës së play-off-it. Përballja e parë do të jetë ndaj Sllovakisë më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, finalja e play-off-it do të luhet ndaj Turqisë ose Rumanisë, me Kosovën që do të ketë avantazhin e fushës.
Ekspertët vlerësojnë se forma e jashtëzakonshme e Hoffenheimit dhe paraqitjet brilante të Hajdarit, Abdullahut dhe Asllanit mund të jenë kyçe për një sukses të dyfishtë: një vend historik në Ligën e Kampionëve dhe një kapitull të paharrueshëm për Kombëtaren e Kosovës.
Një sezon që po shkruan histori – në Gjermani dhe përtej saj.

