Beşiktaş do të zbresë sot në fushë përballë İstanbul Başakşehir në derbin e Stambollit, sfidë e vlefshme për javën e 22-të të Süper Lig. Takimi nis në orën 18:00 dhe konsiderohet i rëndësishëm për objektivat e sezonit.
Vëmendja është përqendruar te Kristjan Asllani, i cili pritet të rikthehet në formacionin titullar pas përfundimit të pezullimit. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë u ndëshkua me karton të kuq vetëm shtatë minuta pas debutimit në barazimin 2-2 ndaj Alanyaspor, një nisje aspak e favorshme për aventurën e tij në Turqi.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediave turke, trajneri Sergen Yalçın vazhdon t’i besojë 23-vjeçarit dhe është i gatshëm ta aktivizojë nga minuta e parë në një ndeshje me peshë.
Aktivizimi i mundshëm i Asllanit si titullar shihet si një sinjal i qartë i mbështetjes nga stafi teknik, që synon ta rikthejë mesfushorin në ritëm dhe ta integrojë plotësisht në projektin e skuadrës bardhezi.

