Java e 34-t në Superligën e Kosovës pritet të sjellë emocione të mëdha, pasi gara për Evropën dhe mbijetesën hyn në fazën vendimtare. Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur që të gjitha ndeshjet të zhvillohen të dielën nga ora 16:00.
Drita tashmë e ka siguruar titullin kampion, por beteja për pozitat që dërgojnë në garat evropiane mbetet ende e hapur. Ballkani është pranë sigurimit të vendit të dytë me 55 pikë, ndërsa Malisheva vazhdon ta ndjekë me 53 pikë në pozitën e tretë.
Prishtina dhe Gjilani ndajnë nga 45 pikë dhe matematikisht ende mbajnë gjallë shpresat për Evropë, megjithëse gjasat mbeten të vogla.
Në fund të tabelës situata është edhe më dramatike. Prishtina e Re renditet e fundit me 31 pikë dhe rrezikon rënien direkte nga elita. Ferizaj është në pozitën e nëntë me 35 pikë, ndërsa Llapi mban vendin e tetë që dërgon në plejaut.
Ndeshjet e javës së 34-t janë: Malisheva – Drenica, Dukagjini – Drita, Prishtina – Ferizaj, Gjilani – Llapi dhe Ballkani – Prishtina e Re.
Interes të madh ka edhe Liga e Parë, ku gara për inkuadrim në Superligë vazhdon të jetë shumë e fortë. Vushtrria kryeson me 69 pikë, ndërsa Feronikeli ’74 dhe Dinamo e ndjekin me nga 68 pikë.

