Trepça ka hedhur një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në basketboll, pasi ka mposhtur bindshëm Borën me rezultat 87:64 në ndeshjen e parë gjysmëfinale.
Skuadra nga Mitrovica e kontrolloi takimin nga minuta e parë deri në fund, duke treguar epërsi të qartë në të gjitha aspektet e lojës. Mustapha Amzil ishte protagonisti kryesor i fitores, duke regjistruar 19 pikë, 8 kërcime dhe 2 asistime.
Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Kenny Hasbrouck me 16 pikë dhe 4 asistime, si dhe Mikaile Tmushiq me 14 pikë. Në anën tjetër, te Bora u dallua Lance Thomas me 17 pikë dhe 5 kërcime, ndërsa Tyler Cheese gjithashtu shënoi 17 pikë, por pa arritur të ndryshojë rrjedhën e ndeshjes.
Trepça dhe Bora do të përballen sërish këtë fundjavë në kuadër të Superligës, ndërsa ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Kosovës pritet të zhvillohet javën e ardhshme, ku mitrovicasit synojnë ta konfirmojnë kualifikimin në finale.

