Visar Bekaj është zyrtarisht lojtar i Tiranës. Portieri i Kombëtares së Kosovës është rikthyer te klubi bardheblu, me të cilin ka arritur marrëveshje të plotë dhe ka firmosur kontratën.
28-vjeçari ka nënshkruar kontratë 1 vjeç e gjysmë, e vlefshme deri në verën e vitit 2027, me një klauzolë shkëputjeje gjatë afatit kalimtar veror, që i hap rrugë një transferimi të mundshëm jashtë vendit.
Sipas burimeve pranë klubit, Bekaj do të jetë lojtari më i paguar në Superligën shqiptare, me një pagë mujore që tejkalon 15 mijë euro, duke vendosur një standard të ri financiar në kampionat.
Ky transferim shënon një rikthim të rëndësishëm për portierin kosovar te Tirana, klub me të cilin ka kaluar një nga periudhat më të mira të karrierës. Në aventurën e tij të parë me bardheblutë, Bekaj ishte lider i skuadrës, mbajti shiritin e kapitenit dhe u shndërrua në një nga figurat kryesore të ekipit.
Pas largimit nga Tirana, Bekaj u transferua në Turqi te Hatayspor, ku qëndroi për dy sezone dhe fitoi përvojë të vlefshme në një kampionat më konkurrues. Më herët në karrierë, ai ka mbrojtur edhe ngjyrat e FC Prishtinës.
Portieri është pjesë e rregullt e Kombëtares së Kosovës dhe rikthimi i tij te Tirana shihet si një lëvizje strategjike e klubit kryeqytetas, i cili synon stabilitet dhe mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.

