West Ham United nuk ka hequr dorë nga Albion Rrahmani dhe po vazhdon ta monitorojë nga afër sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, me synimin për të tentuar transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës.
Interesimi i klubit londinez, i raportuar muaj më parë, nuk ka qenë thjesht spekulim. Skautët e West Hamit po e ndjekin në vazhdimësi 25-vjeçarin dhe e konsiderojnë atë një investim të qëlluar për repartin ofensiv, sidomos në prag të largimit të Callum Wilson, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni.
Rrahmani është pjesë e Spartës së Pragës që nga viti 2024, kur u transferua nga Rapidi i Bukureshtit. Vlera e kartonit të tij aktualisht llogaritet mbi 7 milionë euro, ndërsa paraqitjet e tij këtë edicion kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane.

Në 34 ndeshje në të gjitha garat me skuadrën çeke, ai ka realizuar 13 gola dhe ka kontribuar me dy asistime, duke u shndërruar në një nga pikat kyçe të ekipit.
Përveç West Hamit, interesim për Rrahmanin gjatë afatit kalimtar të dimrit kishte shfaqur edhe Lyoni nga Franca, por duket se gara për shërbimet e tij pritet të intensifikohet në verë.

