FC Prishtina ka zyrtarizuar përforcimin më të ri në repartin e mbrojtjes, duke prezantuar qendërmbrojtësin maqedonas Stefan Naumceski.
Klubi kryeqytetas ka arritur marrëveshje me 24-vjeçarin, i cili vjen për të forcuar vijën defensive në vazhdim të sezonit. Naumceski shquhet për fizikun e fortë, lojën ajrore dhe sigurinë në duele, cilësi që e bëjnë një profil të përshtatshëm për skemat e Prishtinës.
Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut ka qenë pjesë e disa klubeve në kampionatin vendor, duke fituar përvojë të vlefshme në nivelin elitar dhe duke treguar vazhdimisht stabilitet në repartin e mbrojtjes.
Nga klubi i Prishtinës janë shprehur të bindur se afrimi i Naumceskit do t’i japë më shumë konkurrencë dhe qëndrueshmëri mbrojtjes, në objektivin për të luftuar për pozita sa më të larta në kampionat. Stefan Naumceski pritet t’i bashkohet menjëherë skuadrës në stërvitje dhe të jetë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjet e ardhshme.

