Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka zbuluar një detaj interesant nga karriera e tij, duke treguar se ishte shumë pranë transferimit te PSG. Megjithatë, ai vendosi ta refuzojë ofertën e klubit francez për një arsye të fortë: fjalën e dhënë ndaj Igli Tares dhe Lazios.
Muriqi tregoi se interesimi i PSG-së erdhi në momentin kur ai po përgatitej të transferohej nga Fenerbahçe te Lazio. Sipas tij, klubi parisien ishte i gatshëm të paguante çdo kërkesë për ta bindur të ndryshonte destinacion, madje duke kontaktuar direkt klubin turk për marrëveshjen.
“Para se të hipja në aeroplan, PSG-ja kishte dërguar ofertë dhe ishte e gatshme të paguante atë që kërkonte Fenerbahçe. Por unë i kisha dhënë fjalën Igli Tares dhe një shqiptar e mban fjalën”, deklaroi Muriqi për Klan Kosovën.
Ai theksoi se, pavarësisht madhësisë dhe prestigjit të PSG-së, vendosi të qëndrojë besnik ndaj marrëveshjes me Lazion, duke respektuar premtimin e dhënë. Transferimi u realizua në vitin 2020, kur drejtori sportiv i atëhershëm i klubit italian, Igli Tare, e bindi sulmuesin kosovar të bashkohej me bardhekaltërit.
Ky rrëfim tregon një anë tjetër të futbollit profesional, ku përveç interesave të mëdha financiare, vendimet shpesh ndikohen edhe nga parimet personale dhe besa e dhënë.

