Është shtyrë sërish me disa seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Shkak sërish u bë mungesa e deputetëve të opozitës. Seanca pritet të vijojë në orën 19:00.
Në rast se palët nuk dakordësohen për presidentin e ri, Kuvendi do të shpërndahet dhe brenda 45 ditësh Kosova do të zhvillojë zgjedhje të reja parlamentare.
Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosja ka dalë me dy propozime, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë, gjersa kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se po bëjnë përpjekje maksimale për Presidentin e ri, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit skadon sot. Ai tha se opozita duhet të jetë prezente në seancë pasi e ka detyrim kushtetues.
Kurti u pyet sërish edhe nëse do të përkrahë kandidaturën e mundshme të Vjosa Osmanit, por refuzoi që të përgjigjej.
“Jemi dukë bërë përpjekje maksimale, po e shohim a po vinë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të vinë dhe të marrin pjesë”, tha ai.

