Fenerbahce ka nisur menjëherë lëvizjet e mëdha pas rikthimit të Ismail Kartal në krye të skuadrës.
Klubi turk ka njoftuar se ka arritur marrëveshje parimore me sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, i cili pritet të mbërrijë sonte në Stamboll për t’iu nënshtruar testeve mjekësore dhe për të finalizuar negociatat e transferimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Fenerbahces, aeroplani me Muriqin do të ulet në Terminalin Ndërkombëtar të Aeroportit Sabiha Gokcen në orën 21:00.
“Klubi ynë ka arritur marrëveshje parimore me Vedat Muriqin, i cili do të mbërrijë në Stamboll sonte në mbrëmje për t’iu nënshtruar kontrollimeve mjekësore dhe për të përfunduar fazën finale të bisedimeve për transferim”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ky do të ishte një rikthim i madh për sulmuesin kosovar te Fenerbahce, skuadër për të cilën kishte luajtur edhe më parë.
Gjatë aventurës së tij të parë me fanellën verdhekaltër, Muriqi kishte lënë gjurmë të rëndësishme, duke realizuar 17 gola dhe shtatë asistime në 36 paraqitje.
Rikthimi i tij në Stamboll shihet si një lëvizje e rëndësishme për repartin ofensiv të Fenerbahces, ndërsa zyrtarizimi përfundimtar pritet pas përfundimit të testeve mjekësore dhe nënshkrimit të kontratës.

