TIRANË- Trupi i të riut Eglant Koçi, i cili ishte zhdukur dy javë më parë është gjetur në fshatrat mes Tiranës dhe Elbasanit. Prej dy javësh policia dhe grupi hetimor po punonte për gjetjen e trupit të tij, pasi dyshohej se Koçi ishte vrarë nga miku i tij, i cili është shpallur në kërkim nga policia si autori i ngjarjes së rëndë.
Sipas policisë, personi që e ka marrë peng të riun është 41-vjeçari Armand Shakaj. Shakaj dyshohet se është ndihmuar edhe nga një 25 vjeçar, Enea Zyferi, i cili është i vënë në pranga. Ky i fundit ishte kamerier në lokalin në pronësi të të kërkuarit, Shakaj. Policia ka arritur të gjejë motorin e 34-vjeçarit të zhdukur, Eglant Koçi dhe vendin ku ai është mbajtur.
Nga kamerat e sigurisë, është parë që prej aty del me makinë autori i dyshuar Armand Shakaj dhe dyshimet janë se në automjet ka pasur edhe trupin e Koçit. Shakaj për të fshehur gjurmët ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku ndodhi krimi drejt 5 Majit, ku u gjet dy ditë pas krimit.
Si u zhduk Eglant Koçi?
Eglant Koçi është zhdukur më 4 qershor, dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”. Policia ka arritur gjithashtu të gjejë nga kamerat e sigurisë edhe disa episode të lëvizjes së tij me motor nëpër Tiranë. Koçi rezultonte i punësuar në një mobileri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat hetimore mbi të cilat është fokusuar policia. Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimeve, fati i 34-vjeçarit mbetet i paqartë, ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e tij dhe lokalizimin e të dyshuarit kryesor, Armand Shakaj.

