Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në platformën “X”, në lidhje me protestat për Zvërnecin dhe rezolutën e bërë dje nga Parlamenti Europian.
“Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!”, e nis statusin e tij Rama.
Duke e quajtur të pavërtetë këtë fitore, pasi thotë se “flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta”.
“Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale”, shkruan ai.

Kryeministri më tej është shprehur se sa i përket ligjit për zonat e mbrojtura europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave.

