Rafael Van der Vaart është përfshirë në një polemikë të re gjatë Kupës së Botës 2026, pasi një koment i tij në televizionin holandez NOS gjatë ndeshjes mes Holandës dhe Japonisë u konsiderua racist nga shumë tifozë.
Gjithçka ndodhi pas golit të barazimit 2-2 të shënuar nga Daichi Kamada në minutën e 88-të. Duke analizuar situatën në mbrojtjen holandeze, ish-futbollisti tentoi të justifikonte gabimin e Micky van de Ven me një koment që shkaktoi reagime të forta.
“Të gjithë në Japoni ngjajnë, e qartë, kushedi mendoj se…”, tha Van der Vaart në transmetim, deklaratë që u kritikua menjëherë në rrjetet sociale dhe nga tifozët japonezë, të cilët e konsideruan atë fyese dhe diskriminuese.
Përballë reagimeve të shumta, ish-mesfushori holandez u detyrua të kërkonte falje publike, duke theksuar se komenti i tij ishte menduar si shaka dhe jo si ofendim.
“Sigurisht që ishte një shaka. Thuajse nuk guxoj dot të them më asgjë. E kuptoj se disa persona i kanë interpretuar fjalët e mia si ofenduese dhe më vjen thellësisht keq. Nëse kam ofenduar dikë me fjalët e mia, kërkoj ndjesë. Nuk ishte qëllimi im”, deklaroi Van der Vaart.
Ai shtoi se i merr seriozisht reagimet që ka marrë dhe se e kupton se fjalët e tij mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
“Për këtë arsye dua të sqaroj se deklarata ime nuk kishte asnjë qëllim racist apo diskriminues. Shpresoj që me këtë shpjegim të jetë më i qartë konteksti dhe qëllimi i komentit tim”, përfundoi ish-futbollisti holandez.
Pavarësisht kërkimfaljes, polemika vazhdon të diskutohet gjerësisht në mediat holandeze dhe japoneze, duke rikthyer debatin mbi përgjegjësinë e figurave publike gjatë transmetimeve televizive.

