Maroku vazhdon të shkruajë histori në Kupën e Botës 2026. Pas barazimit të madh 1:1 ndaj Brazilit, afrikanët regjistruan edhe një rekord të veçantë që pasqyron realitetin e futbollit modern.
Në minutën e 65-të të ndeshjes, Maroku u bë kombëtarja e parë në historinë e Botërorëve që kishte në fushë 11 futbollistë të lindur jashtë vendit në të njëjtën kohë.
Dhjetë nga titullarët kishin lindur jashtë Marokut, ndërsa rekordi u kompletua pas inkuadrimit të Samir El Mourabet, i lindur në Francë, dhe Chemsdine Talbi, i lindur në Belgjikë.
Skuadra marokene përfaqëson një diasporë të shpërndarë në mbarë botën. Lojtarët e saj kanë lindur në vende si Kanadaja, Spanja, Franca, Belgjika dhe Holanda, por kanë zgjedhur të mbrojnë ngjyrat e Marokut në arenën ndërkombëtare.
Nga portieri Bono, i lindur në Montreal të Kanadasë, te Ashraf Hakimi nga Madridi dhe Bilal El Khannouss nga Molenbeeku i Belgjikës, kjo përfaqësuese dëshmon fuqinë e diasporës marokene dhe lidhjen e fortë me vendin e origjinës.
Një rekord historik që tregon se si futbolli ndërkombëtar në vitin 2026 po bëhet gjithnjë e më global.

