Java e parë e Kupës së Botës 2026 ka sjellë jo vetëm emocione dhe spektakël në fushë, por edhe rezultate konkrete nga rregullat e reja të vendosura nga FIFA për të luftuar humbjen e kohës gjatë ndeshjeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga FIFA, loja efektive në ndeshjet e deritanishme të turneut ka arritur në 59.4 për qind, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me dy edicionet e fundit të Botërorit.
Për herë të parë në një Kupë Bote po zbatohen kufizime të reja kohore për rivëniet në lojë. Futbollistët kanë vetëm pesë sekonda kohë për rivëniet anësore, tetë sekonda për goditjet fundore dhe dhjetë sekonda për kryerjen e zëvendësimeve.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e minutave efektive të lojës është edhe udhëzimi i FIFA-s për arbitrat që të lejojnë më shumë vazhdimësi në lojë dhe të mos ndërhyjnë për çdo kontakt apo rrëzim të lehtë të lojtarëve.
Shifrat tregojnë se ndryshimet kanë dhënë rezultat. Në Botërorin e Rusisë më 2018 loja efektive kishte një mesatare prej 56.4 për qind, ndërsa në Katar 2022 kjo shifër ishte 56.9 për qind. Në edicionin aktual, pas vetëm një jave garash, mesatarja ka arritur në 59.4 për qind.
FIFA beson se me kalimin e turneut dhe përshtatjen e ekipeve me rregullat e reja, loja efektive mund të rritet edhe më shumë, duke i ofruar tifozëve një futboll më dinamik, më të shpejtë dhe me më pak ndërprerje.

