Mesfushori i Granit Xhaka ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren bindëse 4-1 të Zvicra ndaj Bosnjë dhe Hercegovinë, duke zhvilluar një paraqitje të fortë në qendër të mesfushës.
Pas ndeshjes, kapiteni zviceran foli edhe për raportin e tij me mediat dhe kritikat që ka marrë së fundmi, duke pranuar se komentet publike nuk e lënë indiferent.
“Sigurisht, nuk është gjithmonë e lehtë. Do të gënjeja nëse do të thoja se thjesht hyn nga njëri vesh dhe del nga tjetri. Më dhemb, sepse ka gjëra që ndonjëherë nuk i kuptoj. Janë shkruar shumë gjëra, veçanërisht ditët e fundit”, deklaroi Xhaka.
33-vjeçari theksoi se ekziston një keqkuptim mes tij dhe mediave, por insistoi se është gjithmonë i gatshëm për dialog.
“Kur kritikoj dikë, filloj nga vetja. Tani jam gati 34 vjeç dhe nuk kam kafshuar askënd kurrë. Mund të flisni me mua normalisht”, shtoi ai.
Pavarësisht zhurmës jashtë fushës, Xhaka vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të përfaqësueses zvicerane, duke udhëhequr ekipin me eksperiencën dhe autoritetin e tij në një tjetër fitore të rëndësishme.

