Kosova triumfon ndaj Malit të Zi, fitore e pastër 3:0 në Ligën Evropiane
Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra ka shënuar një fitore të rëndësishme dhe mjaft bindëse ndaj Malit të Zi në kuadër të Ligës Evropiane të CEV-it.
“Dardanet” dominuan takimin nga fillimi deri në fund, duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit dhe duke triumfuar me rezultat të përgjithshëm 3:0 në sete.
Vajzat e Kosovës fituan setin e parë me rezultat 25:19, ndërsa edhe në të dytin ruajtën ritmin e lartë të lojës për të triumfuar 25:21. Dominimi i tyre u vulos në setin e tretë, ku fituan bindshëm 25:15.
Me një paraqitje të karakterizuar nga disiplinë taktike, organizim i shkëlqyer dhe shpirt i lartë luftarak, Kosova zhvilloi një nga ndeshjet më të mira në këtë edicion të garës.
Fitorja merr edhe më shumë peshë duke pasur parasysh paraqitjet pozitive që Mali i Zi kishte regjistruar deri më tani në Ligën Evropiane.
Ky sukses përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për volejbollin kosovar dhe një dëshmi të progresit të vazhdueshëm të Kombëtares së femrave në arenën ndërkombëtare.

