Jo vetëm futbollistët po tërheqin vëmendjen në Kupën e Botës 2026. Në Meksikë, një rosë dyvjeçare me emrin Merlini është shndërruar në një fenomen të vërtetë dhe në një nga figurat më të dashura të turneut.
E veshur me fanellën jeshile të kombëtares meksikane dhe me numrin 12 në shpinë, simbol i tifozëve, Merlini ka pushtuar rrjetet sociale dhe zemrat e tifozëve.
Gjithçka nisi kur pronarja e saj, Karla Ivette Gomez, u filmua duke shëtitur në rrugët e Meksiko Sitit me rosën pranë saj. Videoja u bë menjëherë virale dhe brenda pak ditësh Merlini u kthye në një sensacion kombëtar.
Popullariteti i saj ka arritur deri aty sa FIFA e ka përmendur si një lloj ambasadoreje të Meksikës gjatë turneut, ndërsa kombëtarja meksikane publikoi një imazh simbolik ku Merlini shihej duke fluturuar mbi stadiumin e Guadalajarës.
Fenomeni ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Furra buke prodhojnë ëmbëlsira me figurën e saj, televizione të ndryshme e ftojnë në emisione për “analiza” sportive, ndërsa përgjigjja e saj mbetet gjithmonë e njëjtë: “kuak, kuak, kuak”.
Në sheshin historik Bellas Artes, qindra tifozë dhe dhjetëra gazetarë mblidhen çdo ditë për ta parë nga afër. Njerëzit nxitojnë të bëjnë fotografi dhe video, duke e trajtuar si një yll të vërtetë të Botërorit.
“Nuk e imagjinuam kurrë se do të bëhej kaq e famshme”, ka thënë me humor pronarja e saj, Karla Gomez.
Sipas saj, Merlini ushqehet me fruta, perime, peshk dhe insekte, edhe pse herë pas here nuk i reziston as një tacoje meksikane. Veterineri madje ka vënë re se rosa është pak mbi peshë, por kjo nuk e ka penguar aspak të vazhdojë turneun e saj të famës.
Historia e Merlinit kujton kafshët simbolike që kanë shoqëruar Botërorët ndër vite, si oktapodin Paul në vitin 2010. Këtë herë, megjithatë, është një rosë me fanellën e Meksikës që po sjell humor, buzëqeshje dhe një atmosferë të veçantë në festën më të madhe të futbollit.

