Kombëtarja e Turqisë i ka dhënë fund aventurës në Kupën e Botës 2026, pasi është mposhtur 1:0 nga Paraguai në ndeshjen e dytë të Grupit D. Humbja vulosi eliminimin e turqve, të cilët mbeten pa asnjë pikë pas dy takimeve të para.
Paraguai goditi menjëherë në fillim të sfidës, kur Matias Galarza realizoi golin e vetëm të ndeshjes pas pak më shumë se një minute lojë, duke i dhënë amerikanolatinëve epërsinë që do ta ruanin deri në fund.
Situata dukej se do të ndryshonte në favor të Turqisë në fund të pjesës së parë, kur Miguel Almiron u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Paraguain me dhjetë lojtarë. Megjithatë, skuadra paraguajane rezistoi me sukses ndaj presionit të vazhdueshëm turk.
Turqia dominoi posedimin e topit dhe krijoi një numër të madh rastesh, por mungesa e efikasitetit para portës rezultoi fatale. Pavarësisht epërsisë numerike për më shumë se një pjesë loje, turqit nuk arritën të gjenin golin e barazimit.
Pas humbjes 2:0 ndaj Australisë në ndeshjen e parë dhe disfatës minimale ndaj Paraguait, Turqia mbetet pa pikë dhe eliminohet nga Botërori, ndërsa Paraguai mban gjallë shpresat për kualifikim në fazën e eliminimit direkt.

