Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pasditen e kësaj të shtune duke theksuar se diaspora shqiptare nuk përbëhet nga 100 apo 200 makina që kanë mbërritur sot në Tiranë.
Në postimin e bërë në rrjet, Balla thekson se dy në 3 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, i kanë besuar Ramës mandatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Nuk e përfaqësojnë vullnetin e diasporës sonë kuq e zi 100 apo 200. Diaspora foli me votë një vit më parë.
Dy ndër tre shqiptarë jashtë vendit i kanë besuar Edi Ramës mandatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE” shkruan Balla në postimin e tij.
Reagimi i Ballës vjen menjëherë pasi në rrjet bënë bujë videot, të cilat tregojnë me qindra makina të diasporës shqiptare, që kanë prekur sot tokën shqiptare për t’iu bashkuar protestës kombëtare.

