Aktualitet Lajme Politike

Behgjet Pacolli rikthehet fuqishëm në Aeroportin e Vlorës: MABCO dhe mbi 200 specialistë zbresin nesër në kantier për rifillimin e punimeve

Pas muajsh tensionesh dhe bllokimesh që kanë shoqëruar një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, biznesmeni shqiptar nga Kosova Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se nga dita e nesërme do të rifillojnë punimet në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Pacolli njoftoi se kompania e tij MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të kompanive nënkontraktore, do të rikthehen në terren për të vijuar punën në projektin strategjik, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë, vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s të datës 18 qershor 2026, si dhe me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas tij, ky hap vjen gjithashtu në respekt të qëndrimit të shprehur publikisht nga kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bëhet peng i interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme, por të përfundojë sa më shpejt dhe të hapet për operim.

“Nesër, MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do të rifillojë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Ky veprim do të ndërmerret në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe me vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s. se dates 18/06/2026 si dhe në respekt të kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe qëndrimit të shprehur publikisht nga Kryeministri Edi Rama, se Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim”, shkruan Pacolli.

Kujtojmë se më 26 maj, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e biznesmenit Valon Ademi dhe kompanisë “2A Group” lidhur me administrimin e Aeroportit të Vlorës, duke ndryshuar vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit në Tiranë.

Me këtë vendim u rrëzua masa e sigurimit të padisë e kërkuar nga shoqëritë “Vlora International Airport” dhe “ZA Group”, duke i hapur rrugë rikthimit të Pacollit dhe kompanisë së tij në projekt. Zhvillimet e fundit vijnë vetëm pak javë pasi vetë Pacolli kishte deklaruar publikisht tërheqjen nga projekti, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si sipas tij po trajtohej çështja.

You may also like

Lajme

Britaniku bleu tankun për 45 mijë euro duke mos e ditur se brenda kishte diçka më të çmuar – ar në vlerë prej 2.5 milionë

Një burrë që bleu një tank u habit kur zbuloi se kishte blerë më shumë sesa kishte pritur fillimisht. Në
Lajme

Nëntë veteranët e Kuvendit, u zgjodhën deputetë për të shtatën herë

Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur