Irani hodhi një tjetër hap drejt kualifikimit në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026, pasi barazoi 0:0 ndaj Belgjikës në Los Anxhelos. Megjithatë, ndeshja u shoqërua me tensione politike dhe incidente sigurie që tërhoqën po aq vëmendje sa edhe rezultati në fushë.
Pas përfundimit të takimit, autoritetet arrestuan një person që tentoi të hynte në fushë i veshur me një fanellë me simbolikën e flamurit iranian të periudhës para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Jashtë stadiumit u raportuan edhe përplasje mes protestuesve dhe tifozëve, ndërsa një person u dërgua me autoambulancë për trajtim mjekësor.
Tensionet kishin nisur që para ndeshjes. Zyrtari amerikan i sigurisë së brendshme, Markwayne Mullin, deklaroi se autoritetet kishin ndaluar hyrjen në SHBA të një personi me lidhje të drejtpërdrejta me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Federata Iraniane e Futbollit reagoi menjëherë, duke i mohuar kategorikisht akuzat. Në një deklaratë zyrtare, federata i cilësoi pretendimet si të pavërteta dhe të pambështetura në fakte, duke i konsideruar ato si përpjekje për të justifikuar trajtimin diskriminues ndaj përfaqësueses iraniane.
Sipas Mullin, Iranit iu lejua të udhëtonte me vetëm 53 anëtarë të delegacionit, shumë më pak se numri i zakonshëm i pjesëtarëve që shoqërojnë kombëtaret në Botëror. Federata iraniane kundërshtoi edhe këtë pretendim, duke theksuar se çështjet politike nuk duhet të ndikojnë në pjesëmarrjen sportive.
Irani ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi gjatë turneut për kufizimet dhe pengesat administrative, ndërsa ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë zyrtare në FIFA.
Mesfushori Alireza Jahanbakhsh bëri thirrje që fokusi të mbetet te futbolli dhe ndeshja e ardhshme ndaj Egjiptit në Seattle.
“Ne kërkojmë vetëm të trajtohemi njësoj si të gjitha kombëtaret e tjera”, deklaroi futbollisti iranian.
Ndërkohë, jashtë stadiumit në Los Anxhelos, qindra protestues demonstruan kundër regjimit iranian, ndërsa në tribuna u panë si flamujt zyrtarë të Iranit ashtu edhe simbolet historike të përdorura para revolucionit të vitit 1979. Situata tregoi edhe një herë se për Iranin, në këtë Botëror, politika dhe futbolli po ecin paralelisht.

