Përballja mes Anglisë dhe Ganës në Grupin L të Kupës së Botës 2026 do të drejtohet nga arbitri hondurian Said Martinez, një emër që ka tërhequr vëmendje jo vetëm për karrierën e tij ndërkombëtare, por edhe për një përplasje të bujshme me Cristiano Ronaldon gjatë kohës kur gjykonte në Arabinë Saudite.
34-vjeçari do të ketë si ndihmës bashkëkombësit Walter Lopez dhe Christian Ramirez, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Ning Ma nga Kina. Kjo do të jetë ndeshja e dytë e Martinezit në këtë Botëror, pasi më herët ndau drejtësinë në barazimin 1-1 mes Katarit dhe Zvicrës.
Martinez ka zbuluar se Ronaldo ishte një nga lojtarët më të vështirë për t’u menaxhuar në fushë për shkak të karakterit të tij tepër konkurrues. Gjatë një ndeshjeje të Al-Nassr, dy gola të portugezit u anuluan pas ndërhyrjes së VAR-it, duke shkaktuar reagimin e ashpër të sulmuesit.
“Gjithmonë është njësoj me ju. Mendoni se jeni yjet e ndeshjes. Nuk ju sjellin këtu për të qenë yje, ne jemi yjet”, i ishte drejtuar Ronaldo arbitrit hondurian.
Megjithatë, tensioni u shua pas ndeshjes. Sipas Martinezit, në tunelin e stadiumit Ronaldo pranoi se kishte reaguar gabim dhe kërkoi falje për mënyrën se si ishte sjellë.
Arbitri hondurian ishte gjithashtu në qendër të diskutimeve në këtë Botëror pas penalltisë së akorduar për Zvicrën ndaj Katarit. Edhe pse VAR-i konfirmoi vendimin, tifozët nuk mundën të shihnin grafikën e pozicionit jashtë loje për shkak të një problemi teknik, ndërsa më vonë FIFA sqaroi se sistemi kishte funksionuar normalisht.
Tashmë, Martinez do të jetë sërish në fokus, këtë herë në një sfidë me peshë të madhe për ecurinë e Anglisë dhe Ganës në Kupën e Botës.

