Me sa duket, përplasjet në Aeroportin e Vlorës nuk kanë të ndalur. Pas bllokimit të portës kryesore të aeroportit nga kamionë të kompanisë 2A Group, duke penguar hyrjen e nënkontraktorëve të MABCO-s, ka ardhur edhe reagimi i biznesmenit Behgjet Pacolli.
Përmes një reagimi publik, Pacolli ka ngritur shqetësimin për situatën e krijuar në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar të papranueshme bllokimin e një aktiviteti të ligjshëm dhe pengimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore. Ai thekson se ngjarjet e fundit nuk përbëjnë më thjesht një konflikt biznesi, por prekin drejtpërdrejt funksionimin e shtetit ligjor.
“Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?”, shkruan ai ndër të tjera, duke shtuar më tej se prej muajsh kompania e tij po përballet me pengesa të vazhdueshme, bllokime të punimeve dhe dëmtime të pronës, ndërsa kërkon që institucionet përgjegjëse të reagojnë dhe të garantojnë zbatimin e ligjeve.
“Kjo nuk është më një çështje vetëm e Mabco-s apo e 2A-së. Kjo është një çështje që prek çdo qytetar. Kush i zbaton ligjet në këtë vend? Ligjin për shoqëritë tregtare? Vendimet e Gjykatës së Lartë? Apo rojet private?”, ngre pyetjet ndër të tjera biznesmeni Pacolli.

Reagimi i Behgjet Pacolli:
Grupet kriminale prapë kanë bllokuar aksesin në Aeroportin e Vlorës, ku Mabco ka investuar mbi 310 milionë euro!
A është KRIM bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi?
Nëse po, pse nuk po vepron askush?
Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?
Çfarë roli kanë rojet private në këtë vend?
Si është e mundur që një kompani private të vendosë se kush hyn dhe kush nuk hyn në një kantier, pavarësisht vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe pavarësisht kërkesave të institucioneve shtetërore?
Si është e mundur që një kompani sigurie private të bllokojë fizikisht hyrjen në një aset strategjik kombëtar dhe askush të mos mbajë përgjegjësi?
Nëse çdo kompani në Shqipëri mund të marrë disa roje private, të vendosë kamionë në hyrje dhe të shpallë veten mbi ligjin, atëherë:
• Për çfarë na duhen gjykatat?
• Për çfarë na duhen institucionet?
• Për çfarë na duhet shteti?
Sot nuk po diskutojmë më për një konflikt biznesi.
Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor. Sot është vënë në pikëpyetje autoriteti i shtetit. Sot shtrohet pyetja themelore: a zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë apo jo?
Sepse, nëse një vendim i formës së prerë i Gjykatës mund të bllokohet nga një grup njerëzish me kamionë dhe roje private, atëherë problemi nuk është më Aeroporti i Vlorës.
Problemi është vetë shteti ligjor.
Prej muajsh, Mabco po përballet me pengesa të vazhdueshme dhe të papranueshme. Prej javësh po shohim vandalizëm, bllokime, dëmtime të pronës dhe pengim të punimeve.
Sot po shohim moszbatim të hapur të ligjit para syve të të gjithëve, si dhe privim të së drejtës për veprim dhe lëvizje.
Ku janë institucionet që duhet t’u japin përgjigje qytetarëve?
Kjo nuk është më një çështje vetëm e Mabco-s apo e 2A-së.
Kjo është një çështje që prek çdo qytetar.
Kush i zbaton ligjet në këtë vend?
Ligjin për shoqëritë tregtare?
Vendimet e Gjykatës së Lartë?
Apo rojet private?

