Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka nisur zyrtarisht aventurën e tij të re te Fenerbahçe, ndërsa entuziazmi i tifozëve për rikthimin e tij në Stamboll po reflektohet menjëherë edhe jashtë fushës.

Menjëherë pas prezantimit të sulmuesit kosovar, klubi turk vendosi në ankand dy fanella të nënshkruara nga Muriqi gjatë ceremonisë zyrtare. Interesimi ka qenë i menjëhershëm, me tifozët që po garojnë për të siguruar një kujtim të veçantë nga rikthimi i “Piratit” në fanellën verdheblu.
Sipas njoftimit të klubit, oferta më e lartë për njërën prej fanellave ka arritur deri tani në 191 euro, ndërsa ankandi vazhdon dhe pritet që vlera të rritet edhe më shumë në ditët në vijim.
Rikthimi i Muriqit te Fenerbahçe ka zgjuar pritshmëri të mëdha te tifozët, të cilët shpresojnë se sulmuesi kosovar do të përsërisë paraqitjet që e bënë një nga lojtarët më të dashur të klubit gjatë periudhës së tij të parë në Turqi.

