Ka nisur protesta e 24-të radhazi në Tiranë, ku protestuesit janë mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë.
Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar të panegociueshme largimin e tij nga detyra dhe ngritjen e një qeverie teknike që, sipas tyre, do të garantonte zgjedhje të lira.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e 24-të, është karakterizuar nga pjesëmarrje e vazhdueshme dhe mesazhe të forta politike, me fokus te korrupsioni, mungesa e llogaridhënies dhe kushtet ekonomike të vendit.
Një ditë më parë, grupi organizator i protestës doli me një sërë kërkesash drejtuar qeverisë që u lexuan nga ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj.
Konkretisht, kërkesat që u lexuan para protestuesve ishin:
1. Dorëheqje e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimi i një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.
Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

